i vendimeve të Qeverisë së Kosovës

Miratohet Projektligji për Gjykata, por do të hyjë në fuqi tek më 2013

02-03-2010 11:29:00

Deri në vitin 2013 gjykatat e Kosovës edhe më tutje do të rregullohen në bazë të Ligjit mbi Gjykatat e Rregullta të ish-Republikës Jugosllave. Hyrja e këtij ligji në fuqi, do të krijoj Gjykatat Themelore, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme, kurse do të pushojnë së ekzistuari Gjykatat për Kundërvajtje, Gjykatat Komunale, Gjykatat e Qarkut, etj.

Projektligji për Gjykatat ka qenë pjesë e strategjive legjislative të 2008, 2009 dhe tani të 2010. Ky ligj ka qenë edhe kërkesë e dy raporteve të fundit të Komisionit Evropian për Kosovën. Më në fund, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të 111 të 1 marsit 2010, ka miratua Projektligjin për Gjykatat. I njëjti i është dërguar Kuvendit 18 ditë më vonë. Edhe nëse projektligji miratohet nga Kuvendi në këtë vit, ai nuk do të hyjë në fuqi plotësisht deri në janar 2013. Në janar 2011 do të hyjnë në fuqi katër nene të këtij ligji, të cilat kanë të bëjnë me përgatitjen tranzicionale të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për implementimin e ligjit të ri. Deri më 2013, edhe më tutje në Kosovë do të aplikohet Ligji mbi Gjykatat e Rregullta të ish-Republikës së Jugosllavisë.

Projektligji parasheh reformimin e plotë të gjykatave në Kosovë, duke ndërruar funksionet dhe emërtimet e gjykatave. Pas hyrjes së këtij ligji në fuqi, nuk do të ketë më Gjykata për Kundërvajtje, Gjykata Komunale, Gjykata të Qarkut, Gjykatë Ekonomike; por sistemi gjyqësor në Kosovë do të organizohet në tri shkallë: shkalla e parë apo Gjykata Themelore, shkalla e dytë apo Gjykata e Apelit dhe shkalla e tretë apo Gjykata Supreme. Në kuadër të Gjykatave Themelore dhe Gjykatës së Apelit, sipas nevojës dhe për efikasitet më të lartë, mund të formohen edhe departamente dhe divizione të veçanta.

Gjykatat Themelore janë gjykata të shkallës së parë në territorin e Republikës së Kosovës. Shtatë Gjykata Themelore themelohen si në vijim: 1. Gjykata Themelore e Prishtinës, me seli në Prishtinë, themelohet për territorin e Komunës së Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës, Drenasit dhe Graçanicës; 2. Gjykata Themelore e Gjilanit, me seli në Gjilan, themelohet për territorin e Komunës së Prizrenit, Dragashit, Suharekës dhe Mamushës; 3. Gjykata Themelore në Gjakovë, me seli në Gjakovë, themelohet për territorin e Komunës së Gjakovës, Malishevës dhe Rahovecit; 4. Gjykata Themelore në Prizren themelohet për territorin e Komunës së Prizrenit, Dragashit, Suharekës dhe Mamushës; 5. Gjykata Themelore e Pejës themelohet për territorin e Komunës së Pejës, Deçanit, Junikut, Istogut dhe Klinës; 6. Gjykata Themelore e Ferizajt themelohet për territorin e Komunës së Ferizajt, Kaçanikut, Shtimes, Shtërpcës dhe Hanit të Elezit; dhe 7. Gjykata Themelore e Mitrovicës themelohet për territorin e Komunës së Mitrovicës, Leposaviçit, Vushtrrisë, Zhubon Potokut dhe Zveçanit. Pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës do të ketë degë të Gjykatave Themelore. Dega e Gjykatës Themelore në Kamenicë do të mbuloj edhe territorin e komunës së re të Ranillugut; ajo e Vitisë do të mbuloj edhe Kllokotin; Mamusha dhe Hani i Lezit do të mbulohen nga Prizreni, gjegjësisht Kaçaniku. Për dy komuna nuk është paraparë degë të Gjykatës Themelore: për Shtimen dhe Zveçanin. Territori i Shtimes do të mbulohet nga Gjykata Themelore e Ferizajt, kurse Zveçani nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

Çështjet administrative dhe ekonomike janë kompetencë ekskluzive të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Gjykata Themelore e Prishtinës do të përbëhet nga katër departamente: Departamenti për Çështjet Ekonomike, Departamenti për Çështjet Administrative, Departamenti për Krimet e Rënda dhe departamenti i Përgjithshëm. Kurse Gjykatat Themelore të rajoneve tjera kanë vetëm dy departamentet e fundit: atë për Krime të rënda dhe të Përgjithshëm.

Gjykata e Apelit themelohet si gjykatë e shkallës së dytë dhe selia e saj është në Prishtinë. Gjykata e Apelit do të shqyrtoj të gjitha ankesat e ushtruara kundër vendimeve të Gjykatës Themelore, vendos për konfliktin e jursidikcionit ndërmjet Gjykatave Themelore dhe çështje tjera të parapara me ligj.

Gjykata Supreme është gjykata instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë dhe ka jurisdikcion në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gjykata Supreme është kompetente që të vendos lidhur me ankesat ndaj vendimeve të Gjykatës së Apelit; kërkesën për mjete të jashtëzakonshme juridike; lëndët e Agjencionit Kosovar të Pronave; në Dhomën e Posaçme, lëndët e Agjencionit Kosovar të Privatizimit ose Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit.

Kryetari i Gjykatës Supreme do të pranojë një pagë ekuivalente me atë të kryeministrit; të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Supreme do të pranojnë një pagë ekuivalente me atë të një ministri, etj.

Zbatimi i Ligjit për gjykata është kompetencë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka bërë vlerësimin e ndikimit buxhetor të këtij ligji. Sipas MEF, për periudhën korrik 2011-2013, Ligji për gjykatat do të ketë një kosto shtesë buxhetore prej 6,088,000 €. Në 2011 nuk parashihet të ketë kosto shtesë buxhetore. Në 2012 kostoja shtesë buxhetore do të jetë 2,994,000 €. Kurse në 2013 kostoja shtesë pritet të jetë 3,094,000 €. Kostoja shtesë buxhetore vie si rezultat i punësimit të 102 punonjësve të rinj në Gjykatën e Apelit, rritja e pagave të gjyqtarëve, rritja e nevojave për shërbime dhe mallra.

Share |
Emëri
Email adresa
Komenti
 
Kerko
Publikimet
Kontakti

a:     Rr. Sejdi Kryeziu, Blloku 4, Kati 2
        10000 Prishtinë, Kosovë

t:     +381 38 609 339

e:     info@institutigap.org

u:     www.institutigap.org

Instituti GAP

©2010 Instituti GAP. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Site by: Frakton