i vendimeve të Qeverisë së Kosovës

Miratohet Programi Kombëtar i Shkencës i Republikës së Kosovës

01-06-2010 09:24:00

Ky program miratohet 6 vite pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore.

Në mbledhjen e 127–të, të mbajtur me 1 qershor 2010, Qeveria miratoi Programin Kombëtar të Shkencës së Republikës së Kosovës. Ky Program bazohet në Ligjin  2004/42 për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore, i miratuar nga Kuvendi më 27 shtator 2004, ku sipas nenit 52 të këtij ligji Qeveria e Kosovës duhet ta hartojë këtë Program dhe më pas t’ia dërgojë Kuvendit për miratim. Për miratimin e këtij Programi Qeverisë i janë dashur gati gjashtë vite. Programi Kombëtar i Shkencës do të synojë, ndër të tjera, të ndihmojë në identifikimin e prioriteteve shkencore, të krijojë kushte për investime infrastrukturore, të forcojë pjesëmarrjen në projektet ndërkombëtare kërkimore-shkencore dhe të përpunojë një program sistematik arsimor për hulumtues.

Në përmbledhjen e këtij Programi vlerësohet se kërkimi dhe zhvillimi teknologjik është ende një ndërmarrje margjinale në Kosovë. Mungojnë edhe kërkimi bazik dhe statistikat teknologjike. Ende nuk ekziston një sistem funksional dhe i qëllimshëm i risimtarisë (inovacionit). Arsyet kryesore për këtë mangësi ishin përjashtimi i imponuar i komunitetit akademik dhe të kërkimit shkencor në periudhën e para-luftës, kur personeli akademik i tanishëm ishte i izoluar nga zhvillimet ndërkombëtare shkencore; shkatërrimet materiale dhe jo materiale gjatë luftës; dhe, më pas, një proces i vështirë i rimëkëmbjes ekonomike. Deri vonë, shpenzimet e përgjithshme për Kërkime Shkencore dhe Zhvillim në Kosovë ishin vetëm rreth 0.1% të BPV-së. Prandaj, ky Program ka për qëllim të neutralizojë këto deficite duke ofruar një kornizë konceptuare për ngritjen e kapaciteteve shkencore në Kosovë. Si prioritete kryesore u identifikuan: burimet natyrore, energjia dhe mjedisi; prodhimi bujqësor dhe siguria e ushqimit; kërkimet shkencore në mjekësi; studimet shoqërore dhe ekonomike; studimet gjuhësore, kulturore dhe historike.

Këshilli Kombëtar i Shkencës i Republikës së Kosovës do të përbëhet nga: Akademik Rexhep Ismajli (kryetar) Dr. Dukagjin Pupovci (sekretar) dhe nga këta anëtarë: Dr. Avdyl Krasniqi, Dr. Fetah Podvorica, Dr. Isuf Krasniqi, Dr. Jahja Drançolli, Dr. Husnija Bibuljica, Dr. Nexhmi Rexha, Dr. Radivoje Mancic, Akademik Rexhep Ferri, Dr. Skender Kaçiu, Dr. Suzana Kërliu , Dr. Xhevat Perjuci, Dr. Zejnullah Gruda dhe Dr. Zejnullah Rrahmani. Programi Kombëtar i Shkencës pritet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës për një periudhë pesëvjeçare, i cili, gjithashtu, duhet të sigurojë fonde për realizimin e programit të propozuar nga Qeveria.

Share |
Emëri
Email adresa
Komenti
 
Kerko
Publikimet
Kontakti

a:     Rr. Sejdi Kryeziu, Blloku 4, Kati 2
        10000 Prishtinë, Kosovë

t:     +381 38 609 339

e:     info@institutigap.org

u:     www.institutigap.org

Instituti GAP

©2010 Instituti GAP. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Site by: Frakton